
nga Shpetim Selmani
Me vite jetoj në Rrugën B. Në një apartament që çdo ditë e më shumë më ngushtohet. Në një apartament të miqve të mi të moçëm për të cilët ushtroj një falendërim të veçantë për disa arsye. Ka kohë që nuk jam rropatur të shkruaj një artikull. Ka kohë që tjetërsohem në grimca. Nuk mbetet gjë më nga unë. Në fundin e secilës ditë. E ndjejë. Por misteriet gjithmonë gjejnë shkaqe për të mbijetuar. Rrruga B është një xhungël makinash. Një shumësi e paanë e një dyndje serioze. Një ferr i jetueshëm. Një egërsirë për fëmijët. Prandaj jo-rastësisht djali im nisi të qaj kur e gjetëm veten në mes një morie fishkëllimash të pafund, në mes një trafiku të çmendur, afër një aksidenti rrugor e me policë që kryejnë detyrat e tyre të qetë. Duket sikur djali u tremb. U tremba edhe unë. Pyeta veten ku dreqin po gjallëroj dhe për të njëmijtën herë ja mbylla vetes gojën. Pyetje që nuk të shpie askund. Misteriet gjejnë shkaqet e tyre për të qenë të pranishme. Çdo mëngjes ka të bëj diç me perëndinë e rrëmujës. Çdo mëngjes lind nga gjinjtë e hallakamës. E tmerrit dhe bie mbi xhamat e përparmë të makinave tona traumatike, të gërvishtura të cilat na shërbejnë edhe jashtë kapaciteteve të tyre. Muzgu ishte poetik. Realiteti ishte vrasës poezish. Unë dhe djali im shkonim në promovimin e një organizate që quhej Miqtë e Natyrës së Kosovës. Pra diku kishte ende natyrë. I thashë djalit eja ta marrim makinën tonë. Dhe të bëhemi burra. Të mos qajmë. Më pas në mes një brutaliteti rrugor mezi gjetëm një vend për makinën tonë në njërin nga parkingjet e stërngarkuara. Dhe më në fund futemi në një realitet tjetër. Nën përqafimin e Bujarit i cili shpresën e ka ushqim, vizionin e ka të qartë dhe planet ende të kthjellëta.
Bujarin e kam njohur si anëtar i bendit Who’s Elektra saktësisht tek ambientet e Tulla Culture Center kur mbrëmjet ishin të zjarrta dhe unë isha mik i zjarrit. Who’s Elektra ishin ca magjistar të pushtuar nga demoni i rock’n rollit, një band indie-alternativ, nga Luzerni i Zvicrrës. Paraqitja e tyre ishte elektrizuese. E hatashme dhe magjepsëse. Besi i cili e hante me dhëmbë mikrofonin, i bekuar me një sensibilitet të hatashëm, Bujari krejt i qetë printe si një Budë dhe Juliani i cili qëllonte pastaj qëronte lëkurën e tupanave.
Në këtë mënyrë i kam njohur këta tre djem të mrekullueshëm. Të cilët më vonë Festivali i tyre i Letërsisë do të bëhet shkak i një afërsie edhe më të madhe. Festivali I Letërsisë në fshatin Dobërdol të Klinës. Idetë tona të njëjta mbi gjëra të ndryshme dhe perceptimet tona artistike na shpien në krijimin e një pune tjetër të përbashkët. Incizimi i një kënge apo incizimi i një poezie diku në malet zvicerrane, në një parajsë helvetike ku Bujari jeton së bashku me Lillyn dhe punojnë e krijojnë larg qytetërimit. Në harmoni të plotë me malet. Natyrën dhe qetësinë. Që sot pa përjashtim të gjithë e synojmë. Nuk ka problem që kohë pas kohë një fishkëllimë treni na e bën të ditur praninë e ankthit që na jep realiteti.
Miqtë e Natyrës së Kosovës është një projekt i ri i Bujarit, Lillyt, Sebastianit dhe ekipit të tyre, të cilët angazhohen për një Kosovë të shëndetshme, frymëzuese e të pastër. Zhvillimi i turizmit është poashtu njëra ndër pikat kyqe të organizatës së tyre duke vënë në pah bukurinë e natyrës së vendit. Në fjalimin e hyrës Bujari tha diçka për të cilën më rrinte mendja papushim. Brezi ynë ka për detyrë që mbase për të fundit herë t’i hapim sytë dhe të bëjmë më të mirën tonë për të ardhmen e përbashkët. Jo sepse brezi paraprak ka dështuar por ngase ata tashmë janë lodhur në përpjekjet e e tyre sifilitëse për një mjedis të paqes. Jam e kundërta e Bujarit. Më duket se edhe unë i përkasë brezit paraprak. Ngase ndjejë se kohë pas kohë jam i lodhur si një gjysh. Megjithatë maturia e fjalimit ishte e shkëlqyeshme. Natyra e vendit është tejet e shkatërruar dhe nevoja për ta rimëkëmbur është urgjente. Mjedisi ynë reflekton gjëndjen tonë. Natyra rreth nesh përgjigjet më të njëjtën gjuhë. Miqtë e Natyrës së Kosovës ofron një platformë të re e cila përveç tjerash na jep një mundësi të mbramë pajtimi me atë që na rrethon.
Bujari fjalimi për gjeneratat.